Mbledhja e mbrëmjes së djeshme e Kryesisë së Partisë Demokratike, që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, është shoqëruar me debate në lidhje me vendimin për të përjashtuar Sali Berishën dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit përfundimisht nga partia.
Mësohet se nënkryetarja Jorida Tabaku ka qenë kundër vendimit për të përjashtuar 8 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit. Sipas saj, i vetmi që duhej të përjashtohej ishte Berisha. Tabaku ka thënë se duke i përjashtuar, ata mund të formojnë një grup të ri parlamentar.
Ndërsa Jemin Gjana ka qenë pro shkarkimit të të gjithëve dhe ka thënë se grupi i PD nuk ka lidhje me të përjashtuarit nga partia.
Deklaratat në mbledhje:
Jorida Tabaku: Unë mendoj që të mos përjashtohen të gjithë por vetëm Sali Berisha si organizator i nismës. Nëse ne vendosim që ti përjashtojmë atëherë i japim mundësi që ata të krijojnë grup të ri parlamentar.
Jemin Gjana: Unë mendoj të kundërtën. Ne nuk kemi më lidhje me ta. Ne duhet ti përjashtojmë të gjithë. Nuk mendoj se nëse ne i bëjmë të reflektojnë nëse i pezullojmë. Ata e krijojnë grupin kur të duan.
Ori Nebiaj: Ajo çfarë ndodhi më 8 Janar nuk ishte rastësore por e paralajmëruar çdo ditë nga gjuha e urrejtjes që përfundoi në atë skenar që zoti desh të mbyllej pa viktima! E faleminderit Zot që ashtu ndodhi. Si vajzë, si e re që e kam ndërtuar jetën time në këtë vend jam ndjerë e tmerruar nga gjithë ajo që ka ndodhur në oborrin dhe selinë e familjes tonë politike. Prandaj them me bindje se 8 Janari nuk duhet normalizuar, përkundrazi duhet të kemi një reagim dhe vendimarrje konkrete. Modeli i pandëshkueshmerisë është ajo për të cilën ne luftojmë çdo ditë ndaj kësaj qeverie dhe asaj çfarë ka prodhuar kasta politike në 30 vite ndaj edhe nuk mund ta anashkalojmë kur ndodh në PD dhe kundër PD! Nëse sot nuk tregojmë se kjo parti, edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk reagon dhe nuk merr vendime të forta për atë që ndodhi brenda shtëpisë tonë, atëherë nesër as unë e askush sdo kemi as moral e as fjalë për të garantuar shqiptarët se do i dalim zot atyre për sigurinë dhe ligjin e drejtë për familjet e tyre. Smund të kemi vendimarrje me dy standarte. Dhuna duhet dënuar, sipas ligjit. Çfarë vizioni do i tregojme për të ardhmen nëse sot, në këtë situatë, nuk jemi modeli që nesër premton ti qeverisë?! Nga kjo mbledhje e Kryesisë sot, përpara një vendimi të vështirë kam dy ndjesi që janë dhe konstatime. Së pari ndjej dhe dëgjoj se më në fund anëtarët e kryesisë u çliruan dhe ishin krejtesisht të sinqertë në arsyetimet e tyre e kur mendoj nevojën e kësaj kryesie për të folur pa doreza në mënyrë të sinqerte dhe të prerë, qoftë dhe për të shfryrë tensionin, kuptoj disi masën e mllefit apo nevojës që anëtarësia ka që ne t’i dëgjojmë e ata të shfryjnë e të flasin mbi gjithçka i ka merzitur e dëshpëruar nga gjithë kjo situatë. Kryetar bëjeni këtë parti për të rinjtë dhe për ata mbi 600 mijë shqiptarë që na besuam në 25 prill!