Zbardhet agjenda e vizitës së Escobar dhe Lajçakut në Kosovë

Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak do të vizitojë Kosovën.

Atij do t’i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari (ZNS) Gabriel Escobar.

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se në Prishtinë, Lajçaku dhe Escobari do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

“Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja. PSBE Lajçaku do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë”, thuhet në njoftim.


Shtuar 26.01.2022 17:10