Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 41-vjeçares shqiptare në Greqi

Mediat greke shkruajnë, se janë zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e 41- vjeçares shqiptare shtatzënë Gjeorgjia Murati.

Bashkëjetuesi i saj dhe një mik i tij i kishin zënë pritë shqiptares, sapo ajo hyri në shtëpinë e partnerit.

Nën kërcënimin e thikës, ata i kanë vënë prangat dhe i kanë lidhur gojën me shirit.

Më pas e kanë çuar në dhomën e gjumit, ku i kanë shkaktuar plagë të shumta me thikë.

Ata e kanë transportuar trupin e pajetë dhe e kanë çuar në një zonë me shkurre në Halkidiki.

Dy të dyshuarit janë kthyer në vendin e krimit, ku janë përpjekur të zhdukin provat e krimit, duke pastruar banesën.

Për të mashtruar autoritetet, pasi kanë kryer veprimet e mësipërme, kanë vendosur në shtratin e mësipërm një dyshek tjetër për të fshehur njollat e gjakut.

Pas vrasjes autorët i kanë marrë viktimës edhe 80 Euro.

Deri më tani dy të pandehurit po japin versione të ndryshme për atë që ka ndodhur pa mundur të bindin policinë.

Ata pretendojnë se nuk kanë dashur ta vrisnin shqiptaren, por ta grabitnin.

Provat ndaj dy burrave janë të shumta dhe janë gjetur nga kontrolli i policisë në shtëpinë e partnerit të shqiptares.

39-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë greke.

Ai ka qenë i dënuar për dhunë fizike ndaj motrës së tij.

Sipas denoncimit të saj, gjithçka ka ndodhur pasi ajo nuk i jepte para.

Shqiptarja që mbeti viktimë ishte nënë e një vajze 13-vjeçare nga martesa e parë, ndërsa bashkëjetonte së fundi pas divorcit me 39-vjeçarin me të cilin ishte 3 muajshe shtatzënë.


Shtuar 9.01.2024 12:58