Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bën thirrje opozitës të ndërgjegjësohet dhe të mos zaptojë më foltoren në Kuvend, ashtu sikur se ka ndodhur në seancat e fundit plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediet, Balla tha se seancat do të bllokohen sa kohë që Berisha do të vijojë që ti bëjë presion drejtësisë.
Ai tha se është e turpshme fakti që në Kuvend u dërguan firma të falsifikuara nga opozita, ku kërkohej ngritja e Komisionit Hetimor për çështjen McGonigal, duke u shprehur se kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore do të shqyrtohet pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Rregullorja e saktëson qartë se kur një deputet zapton foltoren masa disiplinore tregohet qartë. Nuk është zbatuar që komisioni sekretariati mund të dyfishojë atë masë. Nuk është koha për të kaluar në dyfishim të masave me shpresën se do të ketë një dyfishim të deputetëve nga ana e Foltores së PD-së. Të shpresojmë se në seancën e datës 23 të kemi një seancë normale. Masa u morën për bllokuesit e punimeve. Seanca do të bllokohen deri kur Berisha do të vazhdojë që ti bëjë presion drejtësisë”, tha Balla.
Kujtojmë se Komisioni i Etikës përjashtoi për 10 ditë nga punimet e Kuvendit kryetariin e PD, Sali Berisha dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka, ndërsa deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka u përjashtuan me 5 ditë.
Ky vendim i Komisionit të Etikës erdhi pas kërkesës së PS, të cilët i akuzojnë se bllokuan foltoren e Parlamentit si dhe nuk lejuan vijimin normal të punimeve në seancë.
/albeu.com/