Zanetti për situatën në Inter: Unë nuk mund t’i gënjejë tifozët, kjo është e vërteta!

Zëvendëspresidenti i Interit Javier Zanetti ka folur për situatën nëpër të cilën po kalon Interi në muajt e fundit.

“Neroazzurrët” kanë pësuar ndryshime të papritura në muajtë e fundit duke larguar trajnerin Antonio Conte, sulmuesin Romelu Lukaku dhe anësorin Achraf Hakimi duke bërë që tifozët të ndihen të zhgënjyer me politikën e klubit dhe në lidhje me këtë situatë, Zanetti ka pranuar se nuk është aspak e lehtë dhe se kjo duhet të pranohet para tifozëve të skuadrës, shkruan KosovaPress.

“Nuk mund t’i gënjej tifozët e Interit. Ndoshta të tjerët e bëjnë, por unë jo. Do të jetë një sezon i vështirë dhe i komplikuar. Kjo duhet thënë se është e drejtë për të gjithë. Unë gjithashtu thashë që ne do të jemi konkurrues. Simone Inzaghi po punon mirë. Unë nuk flas shumë, dhe mendoj se heshtja ime thotë shumë: shërben për të mbrojtur Interin, për t’u përqëndruar në çështjet në fushë. Por unë them një gjë për tifozët, ne, edhe një herë, do të japim gjithçka për fanellën zikaltër”, tha Zanetti.

Ai foli gjithashtu edhe për largimin e dy prej shtyllave kryesore të ekipit në sezonin e kaluar si trajneri Antonio Conte dhe sulmuesi Romelu Lukaku.

“Më erdhi keq për lamtumirën e Lukakut, ai na dha shumë. Ai dhe Dzeko janë të ndryshëm, por Edin është sigurisht një nënshkrim i rëndësishëm. Kur Conte u bë trajneri ynë nuk kisha asnjë paragjykim, e pashë të punonte dhe menjëherë kuptova se qëllimi i tij i vetëm është e mira e ekipit ai ka shumë merita në fitimin e Scudetto -s, ai ishte vendimtar.”, tha në fund ish-kapiteni i Interit.

Interi e nis sezonin 2021/22 të Serie-A ndaj Genoas të shtunën me fillim nga ora 18:00.


Shtuar 20.08.2021 20:52