Jakup Hamzaj, xhaxhai i Ledion Hamzajt, një prej nxënësve që humbi jetën nga sulmi me armë në autobus në fshatin Gllogjan të Deçanit, ka rrëfyer se si e mori vesh lajmin e kobshëm.
Ai tha se ka qenë babai i Ledionit i cili ka mbërritur i pari në vendin e ngjarjes, ku ka parë se shoferi i autobusit kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
“Lajmin e dëgjuam rreth orës 19:00. Më thirrën e më thanë është plagos Ledioni. Vëllai im, babai i Ledionit shkoi i pari aty, ka qenë i pari që ka hyrë në autobus. E morën i thanë ‘hajde shpejt se na kanë gjujt, ka viktima’”, ka treguar ai për Nws24.
“I pari që ndërroi jetë në vend ishte shoferi, kur e ka pa vëllai im, më pas ka nxjerr vajzën e plagosur nga dritarja e më pas ka kap djalin e vet. Djali ka pas shenja jete deri diku, por më pas ka ndërruar jetë”, rrëfen xhaxhai
Ai tregon edhe bisedën e fundit të nipit të tij me babin në telefon, 10 minuta para se të ndodhte sulmi në autobus.
“Biseda e fundit ka qenë 10 minuta para. I tha ‘bab për 10 minuta thuj mamit jam në shpi, bëma bukën”, ka treguar xhaxhai i të riut që humbi jetën.