Indinjata e Xavit, trajnerit të Barcelonës, i mundur 1-0 nga Interi, ka vazhduar edhe pas përfundimit të ndeshjes: “Jam i indinjuar… Do të kisha dashur të flisja me gjyqtarin për të kuptuar vendimet e tij. Nuk ka kuptim, ishte një padrejtësi. Ndjej indinjatë, nuk e fsheh dot, mendoj se duhet që gjyqtari të na shpjegojë vendimet e tij.
Në pjesën e parë na mungonte ritmi në qarkullimin e topit. Nuk patëm një periudhë të parë në nivelin e kërkuar nga Champions League. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, gjithsesi u përpoqëm të shënonim deri në fund. Përtej vendimeve të gjyqtarit, ne duhet të bëjmë autokritikën tonë. Kemi humbur dy ndeshje (në grup), na takon ne të rikuperojmë gjithçka në dy ndeshjet e kthimit në shtëpi”, është shprehur tekniku Xavi.