“Western Balkans” do të hapë dyert për vitin e ri akademik, ofron programe studimi në mjekësi, teknologji, ekonomi dhe inovacion

Universiteti “Western Balkans”, institucioni më i ri në fushën e arsimit të lartë në Tiranë do të hapë dyert vitin e ardhshëm akademik për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas mjekësisë, shkencave teknike mjeksore, teknologjisë dhe inovacionit.

“Western Balkans” do të ofrojë programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë të studimit, ndërsa mësimi do të zhvillohet tërësisht në gjuhën angleze.

Me synimin për të qenë ndër universitetet lider në Evropën Juglindore, ky institucion i arsimit të lartë ka ngritur një bord ndërkombëtar këshillimi.

Akademikë dhe personalitete te shquar nga disa prej universiteteve dhe qendrave kërkimore të avancuara në botë do të jenë pjesë e tij.

Ne biseduam me kryetarin e Bordit Ndërkombëtar të Këshillimit Prof. Dr Rainer Reinmueller.

“Qëllimi i këtij projekti ambicioz është t’u japë mundësi të rinjve shqiptarë për të marrë një arsim vërtet të mirë, në të gjitha drejtimet në fushën e mjekësisë. Kjo do të thotë se nuk është vetëm për mjekët e ardhshëm, por është edhe për asistentët mjekësorë, stafin mjekësor dhe është gjithashtu për teknikët mjekësorë dhe ne do të donim të kishim standarde të larta shkencore në programe për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të përdorur njohuritë në IT në zhvillimin e shkencës së re moderne. Gjithashtu mundësinë për të zhvilluar dhe projekte të vogla industriale në këtë mënyrë do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj, Shqipërisë”, ka thënë ai.