Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e tretë të saj, duket se SHBA-të kanë vendosur të mos qëndrojnë duarkryq, por të çojnë më shumë ndihma në Kiev.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar një paketë të re ndihme sigurie për Ukrainën që do të përfshijë artileri, municione, radarë dhe pajisje të tjera.
“Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë mbështetjen e fortë për popullin e guximshëm të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë vendin e tyre kundër agresionit të vazhdueshëm me Rusinë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, transmeton Telegrafi.
“Ne po dërgojmë armë dhe pajisjet që Kongresi ka autorizuar drejtpërdrejt në vijën e parë të lirisë”, shtoi ai.
Biden tha se fondet ekzistuese për Ukrainën ishin “pothuajse shteruar” dhe i kërkoi Kongresit të SHBA-së të miratonte paketën e tij të propozuar të ndihmës prej 33 miliardë dollarëshe për “të forcuar Ukrainën në fushën e betejës dhe në tryezat e negociatave”.
Një zyrtar amerikan tha se paketa e fundit e armëve ishte me vlerë prej 150 milionë dollarësh, raporton agjencia e lajmeve Reuters.