Vuçiç: Rruga nuk do të udhëheqë politikën në Serbi

Rruga nuk do të udhëheqë politikën, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më 1 dhjetor derisa komentoi protestat të cilat ditëve të fundit po mbahen në Serbi.

Që nga 27 nëntori, në disa qytete serbe ka pasur protesta në kundërshtim të ndërtimit të minierës së litiumit në perëndim të Serbisë, respektivisht në qytetin e Lloznicës.

Këtë minierë do të duhej ta ndërtonte kompania, Rio Tinto.

Rio Tinto renditet si kompania e gjashtë në botë për metal e miniera. Fjala është për një kompani multinacionale britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës.

Lidhur me protestat Vuçiq tha se bllokada e rrugëve nuk është protestë por shkelje e ligjve të Serbisë.

“Të gjithë të cilët mendojnë se politikën e udhëheqin në rrugë, rruga nuk mund të udhëheq, në këtë shtete udhëheqin institucionet”, tha Vuçiq.

Për protestat e paralajmëruara në fundjavë lidhur me minierën, Vuçiq shtoi se shteti nuk do të reagojë. Protestuesit janë duke kërkuar nga autoritetet që të ndalojë projektet të cilat i konsideron të dëmshme për mjedisin.

Presidenti serb paralajmëroi se brenda disa ditësh do të vizitojë zonën e Lloznicës dhe do të takohet me qytetarët sepse dëshiron të dëgjojë nga ata se çfarë mendimi kanë rreth minierës.

Ai përsëriti se shteti nuk do të bëjë asgjë ‘pa u konsultuar me popullin’.

Mes tjerash, tha se Serbia duhet të presë më shumë se një vit që të përfundojë studimi rreth ndikimit që mund të ketë në mjedis miniera e litiumit e cila planifikohet të ndërtohet në perëndim të Serbisë.

Vuçiq deklaroi se vetëm pas përfundimit të këtij studimi do të mund të vazhdohen punimet rreth minierës së kompanisë Rio Tinto./REL


Shtuar 1.12.2021 22:47

Tags: ,