Vuçiç: Në historinë tonë moderne ky është viti më i vështirë, të gjithëve u intereson vetëm Kosova e pavarur

Në stilin e tij dramatizues, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se për Serbinë ky do të jetë viti më i rëndë në historinë moderne të Serbisë, ekonomikisht dhe politikisht. Duke folur për ndërkombëtarët, Vuçiç ka thënë se ata janë të interesuar vetëm për Kosovën e pavarur dhe nuk duan të dëgjojnë ndryshe.

Këto deklarata Vuçiç i ka bërë në Davos.

“Gjithçka që kam dëgjuar, dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë se ka një pikëvështrim tjetër, gjëja e vetme që janë të interesuar është një Kosovë e pavarur, sanksionet ndaj Rusisë, s’ka tjetër. Kemi një vit vendimtar, krucial para nesh, kështu që me siguri ky është një prej viteve më të vështira në historinë tonë moderne në kuptimin ekonomik e politik dhe çdo kuptim tjetër”, ka deklaruar Vuçiç, shkruan Express.

“Jemi kaq të vegjël dhe të vetëm, jemi të vetmit duke mbrojtur ligjet ndërkombëtare dhe të gjithë të tjerët janë drejtpërdrejt kundër. Këto janë faktet, çfarë të bëhet”, ka deklaruar ai.

Vuçiç ka njoftuar se të premten do të takojë pesë përfaqësues ndërkombërtarë nga Gjermania, Franca, Italia, SHBA si dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Presidenti serb ka paralajmëruar për një vit të rëndë për Serbinë para gazetarëve në Davos, veçanërisht pas bisedës që e ka pasur sot gjatë takimit me emisarin Lajçak./AlbEu.com/


Shtuar 18.01.2023 21:04