Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur se miqësia mes Serbisë dhe Kinës është e çeliktë.
Vuçiç mbrëmë ka publikuar një video në Instagram për nënshkrimin e paralajmëruar të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Kinën.
Ai ka theksuar avantazhet e ofrimit të një tregu kaq të madh dhe të fuqishëm për Serbinë.
“Kur ofroni një treg të madh dhe të fortë si Kina, akses të lirë në një treg të tillë, ku mund të konkurroni, ku nuk ka kufizime mbi doganat dhe çdo taksë, atëherë nuk kemi problem që t’i sigurojmë një punë të madhe, nga “Budimka” e deri te çdo fabrikë tjetër për përpunimin e pemëve dhe perimeve në vendin tonë, te të gjithë verëtarët tanë, të gjithë prodhuesit tanë të rakisë”, tha presidenti i Serbisë.
Në të njëjtën kohë, shtoi ai, “ne do të përmirësojmë cilësinë dhe do të marrim para në mënyrë që të mund të investojmë, të rifillojmë prodhimin dhe t’i ndihmojmë njerëzit të arrijnë fitore të reja të mëdha”.
“Rroftë miqësia e çeliktë mes Serbisë dhe Kinës”, ka shkruar Vuçiç./albeu.com/