Marrëveshja me Rusinë, Vuçiç: Serbia po sulmohet për një dokument burokratik

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Serbisë dhe Rusisë që ngjalli reagime të shumta në Bruksel. Lideri serb tha se vendit të tij po i bëhet presion. Sipas tij, një dokument burokratik, pa asnjë peshë të rëndësishme” u përdor në media për të sulmuar Serbinë.

Vuçiq nuk specifikoi se për cilin dokument po fliste, por deklaratat e tij vijnë disa ditë pasi Bashkimi Evropian kritikoi Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.

Më 23 shtator, ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Serbisë, Sergei Lavrov dhe Nikolla Sellakoviç, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Jashtme të të dyja shteteve për dy vjetët e ardhshëm.

Plani konsultativ 2023-2024 i Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua në Nju Jork në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Përmbajtja e Planit të Konsultimeve nuk është bërë publike.