Vriten me thikë dy adoleshentë në Britaninë e Madhe

Dy adoleshentë të moshës 15 dhe 16 vjeç vdiqën mbrëmjen e së shtunës në Bristol të Anglisë jugore, kur një grup personash i sulmuan dhe i plagosën për vdekje me thikë.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një makinë, ndërsa policia ka nisur hetimet për vrasjen e dy fëmijëve.

Një 44-vjeçar dhe një djalë 15-vjeçar janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim.

Ne një deklaratë të Policisë së Bristol thuhej se oficerët “arritën në vendngjarje brenda disa minutave nga telefonata e parë dhe bënë gjithçka që mundën për të ofruar ndihmën e parë. Viktimat u goditën me thikë dhe u dërguan me autoambulancë në dy spitale, ku fatkeqësisht humbën jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm (e diel 28 janar). Tashmë janë bërë dy arrestime, një 44-vjeçar dhe një djalë 15-vjeçar. Ata mbeten në paraburgim nga policia. Gjithashtu është sekuestruar një automjet”.

Nuk është bërë ende identifikimi zyrtar i viktimave, ndërsa policia kërkon informacion nga pasagjerët e një autobusi që në momentin e sulmit ndodhej pranë vendit të sulmit./albeu.com


Shtuar 28.01.2024 17:29