Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurit Leonard Bashaliu, i akuzuar për vrasjen e Ylber Xhahysës në Peqin.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se më datë 06.06.2022 kanë përfunduar hetimet dhe është dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan cështja penale në ngarkim të të pandehurit Leonard Bashaliu, i akuzuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 78/1, 274 dhe 278/1 të K.Penal.
Kjo cështje penale i përket ngjarjes së datës 08.06.2021 ku në fshatin Gjocaj të Peqinit, i pandehuri Leonard Bashaliu, vrau me armë zjarri viktimën Ylber Xhahysa, dtl.16.03.1977.
I pandehuri Leonard Bashaliu është arrestuar nga policia gjyqësore e DVP Elbasan menjëherë pas ngjarjes dhe është hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Hetimet për këtë procedim penal u kryen në bashkëpunim me DVP Elbasan.
Prokurori i cështjes është Z.Petref Asllani”, thuhet në njoftim.
Si ndodhi ngjarja:
Prej vitesh ishin në konflikt për gërvishtjen e makinës. Ylber Xhahysa i kishte gërvishtur makinën Leonard Bashaliut. Kjo gjë nuk ishte harruar nga dy banorët e fshatit Gjocaj të Peqinit, të cilët debatonin gjithmonë për ngjarjen banale.
Më 8 qershor 2021 ishte sherri i fundit që përfundoi tragjikisht. Ylber Xhahysa u ekzekutua mëngjesin e 8 qershorit në një lokal të fshatit. 44-vjeçari nis të konfliktohej me Leonard Bashalin. U zunë për disa minuta me karrige.
36-vjeçari nxori armën dhe e qëlloi 4 herë me armë pistoletë. Xhahysa u dërgua nga banorët e fshatit në spital, por humbi jetën disa minuta pasi mbërriti.
Dëshmitarët i thanë pas krimit, autori u larguar qetësisht për në shtëpi ku dhe u arrestua nga policia.