Marjo Përlleshaj, i dënuar për vrasjen e Martin Canit, nuk është pajtuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë që e dënoi me 16 vite burg dhe së fundmi e ka ankimuar këtë vendim në Apel.
Sipas burimeve, avokati i tij mbrojtës pretendon se ndaj Përlleshajt nuk duhet të rëndojë akuza për vrasje në rrethana cilësuese, vepër për të cilën ai u shpall fajtor në shkallën e parë.
Në argumentet e paraqitura në Apel, mbrojtja pretendon se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën ndikimin e një tronditjeje të fortë psikike.
Këto pretendime ishin paraqitur edhe gjatë gjykimit në shkallën e parë, por nuk u morën parasysh nga gjykata.
Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martinit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së një të mituri tjetër. Pas bashkimit të dënimeve, ai u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e shkollës “Fan Noli”, ku një konflikt mes të miturve përshkallëzoi deri në përdorimin e thikës.
Si pasojë, Martin Cani humbi jetën, ndërsa shoku i tij, Luis Mecaj, mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ngriti akuza për vrasje dhe plagosje të rëndë ndaj të miturit, duke kërkuar dënimin maksimal.
Megjithatë, gjykata vendosi një masë dënimi më të ulët nga ajo e kërkuar nga organi i akuzës.
