Është gjetur në Shkumbin arma e Horgito Peqinit, autorit të vrasjes së Madrit Ulqinakut në Elbasan.
Lajmin e bëri të ditur policia përmes një njoftimi.
Sipas policisë, arma u arrit të gjendej pas shumë kërkimeve.
Kujtojmë se ditën e djeshme ra në pranga edhe autori i vrasjes, Horgito Peqini.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Policia pas shumë kërkimesh, gjen në lumin Shkumbin, armën e zjarrit pistoletë, me të cilën dyshohet se u vra 33-vjeçari M. U.
Gjatë mbrëmjes së djeshme u vu në pranga autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje dhe bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, si dhe në bazë të provave të grumbulluara nga puna e mirëfilltë hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “The end”, u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së datës 17 gusht, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari M. U.
Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve H. P., 18 vjeç dhe K. S., 33 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vrarë, për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin M. U., mbrëmjen e datës 17.08.2022.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me një krehër me 6 fishekë në të, të cilat u gjetën pas kërkimeve intensive nga ana e shërbimeve, në shtratin e lumit Shkumbin.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com/