Vrau gruan dhe vëllanë në Gramsh, dëshmia befasuese e autorit: Nuk e mbaj mend

Xhevit Sinani, autori i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes dhe vëllait të tij në Gramsh pasditen e djeshme ka dhënë dëshmi befasuese në polici.

Albeu.com mëson se 80-vjeçari Xhevit Sinani është habitur kur oficeri i policisë e ka pyetur në lidhje me krimin e rëndë, duke thënë se gruaja dhe vëllai i tij kishin vdekur, por nuk e mbante mënd që t’i kishte vrarë ai.

Ka dyshime se 80-vjeçari mëngjesin e djeshëm ka vrarë më parë gruan e tij,  Zeqine Sinani, 72 vjeç duke e goditur me sëpatë brenda banesës dhe më pas vëllanë e tij, Shaqir Sinani, 72 vjeç.

Ky i fundit nuk banonte afër të vëllait, por kishin tokat shumë ngjitur njëri-tjetrin.

Fill pas krimit, autori ka udhëtuar rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë për të shkuar te kushëriri i tij, ku ka pohuar se gruaja dhe vëllai i tij kishin vdekur.

Autori kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në banesën e tij pasi bashkë me gruan kishin qenë jashtë shtetit te fëmijët e tij që janë në emigracion.

Ndërkohë vëllai i tij jetonte i vetëm, pasi gruaja i kishte ndërruar jetë prej vitesh. Po ashtu mësohet se autori ka probleme të shëndetit mendor. Aktualisht ngelen të paqarta motivet e ngjarjes./Albeu.com/


Shtuar 28.01.2023 10:30