Vrau bashkëatdhetarin e tij në Greqi, merr fund arratia e vrasësit shqiptar me pagesë: Arrestohet në Kakavijë pas 6 vitesh

Pas 6 vitesh në arrati, është vënë në pranga 36-vjeçari shqiptar që ekzekutoi me armë zjarri bashkatdhetarin e tij në Keratsini Greqi më 12 nëntor të 2016-ës.

36-vjeçari në bashkëpunim me një shqiptar tjetër i cili po vuan dënimin për vrasje në qelitë greke ka vrarë në vjeshtën e 2016 bashkatdhetarin e tij 32-vjeçar.

Ai u arratis që prej 2016-ës dhe ndaj tij kishte prej 6 vitesh një urdhër arresti nga autoritetet greke, pasi akuzohet për veprën penale bashkëpunim në vrasje. 36-vjeçari u arrestua pasditen e së mërkurës, 9 nëntor, teksa po tentonte të hynte në territorin grek nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, ku policia greke kuptoi se ndaj tij kishte urdhër arresti për vrasje.

Çfarë ndodhi mbrëmjen e 12 nëntorit 2016

Mbrëmjen e 12 nëntorit 2016, një 32-vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në makinën e tij me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Vrasja është hetuar nga Departamenti i Vrasjeve të Sigurimit të Atikës më 23 maj 2018 dhe është konstatuar se është kryer nga dy bashkatdhetarë të viktimës. Autori kryesor është një 31-vjeçar dhe bashkëpunëtor i tij është 36-vjeçari i cili tentoi të hynte në territorin greke gjashtë vite pas vrasjes.

Dy autorët ishin takuar në zonën e Keratsinit për të kryer vrasjen e bashkatdhetarit të tyre.
Sipas policisë greke bëhet fjalë për vrasje me pagesë, të porositur nga një shqiptra që ndodhej në burg, pasi viktima e kishte zbuluar emrin e tij në polici për një grabitje.

Por mbrëmjen e 12 nëntorit në vend që në vendin e takimit të shkonte shënjestra, kishte shkuar baxhanaku i tij, pasi ai kishte pikasi dy atentatorët teksa i ruanin banesën dhe ka dalë me automjet duke i ndjekur.

Dy vrasësit teksa kanë parë viktimën që po i ndiqte, kanë menduar se ai ishte objektivi dhe kanë hapur zjarr ndaj tij./