Vrasje me pagesë, zbardhet roli i ekzekutorëve të Bardhok Pllanajt

Detaje të reja bëhen me dije nga ekzekutimi mafioz i 46 vjeçarit në Shkodër Bardhok Pllanaj.

Edhe pse ende policia nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, mësohet se kanë qenë të paktën 5 persona të përfshirë në krim. Sipas hetuesve, 3 janë autorët që finalizuan eleminimin fizik të 46 vjeçarit, dy që qëlluan ndaj tij dhe një tjetër që drejtonte mjetin tip “Pasat”, i cili rezulton i vjedhur dhe me targa italiane.

Një tjetër nga autorët ka pasur rolin e vëzhguesit, ku ka sinjalizuar qitësit për lëvizjet e objektivit, dhe një tjetër person që i ka larguar ato nga zona e Dobraçit, pasi dogjën automjetin tip “Pasat”, që përdorën në atentat.

Ashtu sikundër albeu.com ka raportuar edhe ditën e djeshme, Pllanaj është ekzekutuar me breshëri automatikut. Ekspertët janë duke kërkuar prova edhe në automjetin e djegur. Ndërkohë vijon kqyrja e kamerave të sigurisë për të krijuar itinerarin e lëvizjeve para dhe pas atentatit të autorëve të vrasjes së Pllanajt. Sipas ekspertizës mjeko ligjore, trupi i viktimës është përshkruar nga 12 plumba në pjesë të ndryshme të trupit.

Një plumb që ka marrë në kokë dhe 2 të tjerë pranë zemrës kanë qenë fatal për 46-vjeçarin. Sipas hetuesve,  autorët e vrasjes janë  profesionistë dhe se vrasjen e kanë kryer kundrejt pagesës. Nga ana tjetër pista kryesore e hetimit për vrasjen e Pllanajt është e kaluara e tij kriminale.


Shtuar 6.04.2021 10:11