Vrasja në Shkodër/ Zbardhet dëshmia e babait të viktimës: S`kishte asnjë problem…

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dragoç të Shkodrës. Shtetasi Ramazan Mataj,  është vrarë me armë zjarri.

Babai i viktimës, i pyetur paraprakisht nga policia ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion se pse ka ndodhur ngjarja.

Ai ka thënë se djali nuk kishte probleme dhe as shqetësime. Komunikimin e fundit me të e ka patur mbrëmjen e kaluar dhe djali nuk i ka treguar asgjë.

Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë, e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

“Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. M., 33-vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve“, sipas njoftimit të policisë.

Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes së 33-vjeçarit dhe identiteti i autorit apo autorëve, ndërsa po hetohet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.


Shtuar 5.01.2025 09:48