Vrasja e Egli Progës, reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Policia, prokuroria dhe gjykata u detyruan të bënin sqarime publike

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, dhe Edi Ramës, lidhur me hetimet e mundshme ndaj gazetarëve që kanë raportuar për ngjarjen tragjike të vdekjes së Egli Progës në Pogradec.

Në një deklaratë, UGSH shprehet se këto hetime dhe akuzat për “baltosje” përbëjnë një përpjekje të qartë për të intimiduar lirinë raportuese të gazetarëve dhe të mediave në vend.

UGSH vlerëson kontributin e gazetarëve në ekspozimin e aspekteve kritike të trajtimit të çështjes, duke përfshirë vonesat dhe mangësitë në informimin publik nga ana e organeve shtetërore. Unioni thekson se përpjekjet e gazetarëve kanë detyruar Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën të ofrojnë sqarime publike për një rast me rëndësi të madhe, që ka tronditur opinionin publik.

UGSH bën thirrje për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të drejtës së gazetarëve për të raportuar pa frikë nga ndëshkimi.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Hetimet policore “për baltosje” janë intimidim ndaj lirisë raportuese të gazetarëve

Tiranë më 14 Gusht 2024

UGSH ka ndjekur me shqetësim dhe vëmendje maksimale akuzat, kritikat dhe sidomos denoncimet e gazetarëve në rastin e vdekjes së 42 vjeçarit Egli Proga, në qytetin e Pogradecit. Raportimet e ndryshme për ngjarjen dhe sidomos vdekjen tragjike të prindit me dy fëmijë të mitur, kanë ekspozuar qartë aspekte kritike të vonesës dhe praktikës informuese, por më së shumti të reagimit në realitetin tonë vendor.

UGSH vlerëson faktin që policia e Shtetit, prokuroria dhe gjykata vendore u detyruan prej raportimeve të gazetarëve dhe mediave të dalin në sqarime për informim publik duke pasur diferencë substanciale në vlerësimet dhe procedurat gjykuese ndaj rastit.

UGSH vëren se në praktikën e ndjekur qysh nga momenti i parë i ndodhisë kriminale, organet e rendit dhe kqyrjes së vendngjarjes, kanë dëshmuar ngadaltësi dhe vonesë informuese për mediat dhe veçanërisht për publikun.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zoti Muhamet Rrumbullaku, në daljen publike para gazetarëve ditën e mërkurë datë 14 gusht 2024, ndër të tjera, atakoi të drejtën e reporterëve për të pasur burime të tyre informuese dhe për të ndjekur parimin e kryqëzimit të të dhënave për të vërtetën në shërbim të publikut, duke u vetëofruar si burim të besueshëm vetëm burimin e tij zyrtar.

Ndërkohë që titullari i Policisë së Shtetit deklaroi sfidueshëm se do të nisen hetime për gazetarët që ” baltosin” policinë.

Madje zoti Rrumbullaku pranoi para gazetarëve se ka dhënë urdhër që për rastin e Pogradecit: “Drejtoria e marrëdhënieve me median në policinë e shtetit dhe departamentet respektive që merren me ndjekjen penale po hulumtojnë rrjetet sociale dhe po përgatisin kallëzimin penal në lidhje me çdo individ dhe çdo rrjet social në raport me këtë disinformim të qëllimtë”.

Këtij urdhri i është bashkuar me mbëshetje edhe Kryeministri Edi Rama, me thirrjen,…”për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut…”

Ky deklarim i përforcuar reflekton shqetësimin tonë, si organizata më e madhe e gazetarëve në vend, për një deklarim intimidues ndaj së drejtës dhe lirisë vetëraportuese të çdo gazetari dhe mediave profesionale në vend. Hetimet e kësaj natyre, nëpër rrjete sociale apo blogjet mediatike, krijojnë qartazi një sipërmarrje policeske mbi raportimin plural në mediumet dhe hapësirat raportuese të gazetarëve të lirë.

UGSH vlerëson se këmbëngulja raportuese e shumë mediave dhe kolegëve tanë, ndaj rastit të Pogradecit, i ka shërbyer rritjes së ndjeshmërisë qytetare dhe shfaqjes së ndërgjegjes reaguese ndaj dramës që i është shkaktuar familjes së një prindi që humbi jetën dhe la dy fëmijë e nënën e tyre, në mëshirë të fatit të paditur social e ekonomik. Intensiteti raportues i kolegëve tanë bëri të mundur të sillet në sy të publikut raporti i viktimës së pafajshme me një autor problematik të cilit ende nuk po ia paraqesin profilin institucionet zyrtare.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë


Shtuar 14.08.2024 21:02