Ka vijuar në Gjykatën e Posaçme seanca për dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla.
Ai ka treguar për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, duke bërë me dije se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë.
Ai shtoi se bashkë me Dumanin ishte edhe një person pa kapuç, por nuk e njihte.
Më tej Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Sipas tij Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë dhe ka shkuar tek tregu i Shënavlashit. Alla ka thënë se asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllanë e tij Viktorin.
Klevis Alla ka treguar se sapo është afruar makina tip “Golf 6”, Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur.
Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Dymani ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.
Më tej ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Dumani dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Vetë ai e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.
Alla tregoi më tej se të nesërmen kishte dalë për të pirë kafe me një shok dhe më pas ka shkuar te makina e braktisur dhe e ka lëvizur, pasi në zonë po lëvizin disa policë.