Të tjera detaje zbardhen nga ngjarja e rëndë në Fier, ku 19-vjeçari Grei Bihuci mbeti i vrarë me thikë pas një përplasje me Florjan Mukën.
Zanafilla e sherrit ka qenë një thikë që autori Muka ua kishte dhënë shokëve të viktimës dy muaj më parë.
I riu nuk e kishte marrë kurrë mjetin e ftohtë megjithëse kishte kërkuar që ti kthehej. Pas një sherri, Florjan Muka arriti më në fund ta merrte nga ata.
Kjo përplasje mes të rinjve është pasuar nga një tjetër sherr në rrjetet sociale, i cili ka degraduar deri në komente fyese.
Të rinjtë u takuan ditën e djeshme në Fier për t’u sqaruar dhe mbyllur debatin, megjithatë situata ka përshkallëzuar në përleshje fizike ku është përdorur edhe thika.
Nga përleshja ka mbetur i plagosur Grei Bihuci së bashku me 20-vjeçarin Olti Serjanaj, i cili ndërhyri për ta shpëtuar. Bihuci nuk mundi t’iu mbijetonte dot plagëve të rënda duke humbur jetën në spitalin e Fierit, ndërkaq Olti Serjanaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka bërë të mundur arrestimin e Florjan Mukës dhe të riut tjetër, shtetasit me inicialet K. M., 17 vjeç, i cili e shoqëroi në konfliktin e djeshëm. Të rinjtë u dërguan në komisariat për t’u marrë në pyetje. Viktima ishte nxënës i shkollës profesionale “Petro Sota” në degën TIK dhe pasditeve punonte kamarier në një lokal pranë vendit të ngjarjes.