Ditën e djeshme, mbeti i vrarë me armë zjarri biznesmeni Ardian Nikulaj. Ngjarja ndodhi në qendër të Shëngjinit, në lokalin e viktimës.
Nikulaj ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PSD në 2021 dhe kandidat për këshill bashkiak në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Lidhur me këtë fakt nuk kanë munguar as akuzat nga opozita se vrasja ka prapavijë politike.
Ishte deputet idemokrat Edi Paloka, i cili tha ditën e djeshme se Nikulaj mbështeste kandidatin për bashki të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni.
Akuzave të Palokës, i është përgjigjur ditën e sotme ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Ky i fundit bëri thirrje që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe autorët të shkojnë para drejtësisë.
Manja: E para, dua të shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimës dhe të shpreh gjithë solidaritetin tim. Në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë, në zbardhjen e shkaqeve dhe zbulimin e autorit të ngjarjes. Lidhur me akuzat, kam neveri dhe përcmim. Janë të njëjtët njerëz që vëlla vrasjen, nxitjen e përcarjes dhe përdorimin e viktimave për qëllime politike e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre këtu e 30 vjet. Ftoj organet ligjzbatuese të zbardhin këtë ngjarje dhe autorët të shkojnë para drejtësië.
Paloka: Kam përshtypjen, pa pasur më tepër të dhëna, se do të ketë background politik, për fat të keq. Nuk mund të flas më tepër, se nuk kam informacion, por fakti është që Ardian Nikulaj këtë herë ka qenë i angazhuar, me sa di unë, në mbështetje të kandidatit të Partisë Demokratike, të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zonë. Por nuk dua të flas më tepër, pasi dua të kem informacion.
Ngjarja ndodhi pas pak mesdite më 19 prill 2023. Biznesmeni u ekzekutua në lokalin e tij “Coral’ në mes të pedonales.