Vrasja e “Manecit” në Sukth, dy pistat ku po hetohet, lidhja e tij me Landi Muharremin

Mbrëmjen e sotme në Sukth u vra me armë zjarri 48-vjeçari Arben Mërkuri (Ismaili) i njohur me nofkën Maneci. Mërkuri rezulton me precedent të mëparshëm penal. Dyshohet gjithashtu që mund të ketë marrë pjesë në dhunimin e biznesmenit libanez

Pistat në të cilat po heton policia janë larje hesapesh dhe dyshime për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike.

Arben Mërkuri, njihet si mik i Landi Muharremit, Rrumit të Shijakut, që ishte në makinën e prokurorit Arjan Ndoja, kur këtij të fundit iu bë antentat te mbikalimi i Shkozetit.

Muharremi nuk është një emër i panjohur për Policinë pasi në shtator të vitit 2016 ai u shpall në kërkim nga policia për rrahjen e biznesmenit libanez Faadi Mitri në sy të gruas dhe vajzës së tij. Në këtë ngjarje është përfshirë dhe Maneci.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit A. M.(I.), 48 vjeç.

Për pasojë shtetasi A. M.(I.) u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.