Vrasja e Liljana Buzos në mes të Elbasanit, dëshmitari: Si ja hoqa armën nga dora autorit

Ngjarjet e fundit makabre të krimeve ndaj grave, nënave, bashkëshorteve kanë tronditur mbarë opinionin publikë. I tillë ishte krimi që ndodhi në Elbasan vetëm pak metra larg gjykatës, ku Koço Buzo ekzekutoi me breshëri plumbash bashkëshorten e tij, Liljana Buzo. Krimi ndodhi në sy të djalit të çiftit, ku ai së bashku me nënën kishin dalë nga seanca gjyqësore e divorcit.

Të shtëna armësh, përleshje dhe klithma që tronditën gjithë Elbasanin. I menjëhershëm ka qenë reagimi i një ish-oficeri policie, i cili pa asnjë hezitim i është drejtuar vendit, ku po ndodhte ngjarja, dhe menjëherë ka neutralizuar kalimtarët dhe një polic, të cilit po i rrezikohej jeta. Një akt heroik i kohëve të sotme, më shumë sesa një bamirësi apo vepër modestie, është parandalimi i një tragjedie, që do të kishte përmasa të një krimi me shumë viktima.

Ai quhet Osman Jazo, baba i 3-fëmijëve, ish-oficer policie, avokat në profesion, dhe është heroi i neutralizimit të përshkallëzimit të një ngjarjeje me shumë viktima dhe të armës së autorit të krimit. Ditën e sotme ai rrëfeu detajet e krimit, në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti, në News24.

Osman Jazo, dëshmitar në ngjarje: Unë aty gati 150 m kam zyrën time të avokatisë, ku punoj me një koleg timin. Unë pashë se po ndodhte një konflikt mes 3 personave dhe të shtrirë në tokë një person. Vrapova menjëherë në vendngjarje, pashë që dy çuna të rinj po përlesheshin me një burrë, kur e pashë, e njoha se kush ishte.

Aty ishte një polic, i cili pashë se ishte rrëzuar në tokë, e mora dhe e largova diku më larg, kur u afrova përsëri në ngjarje, pashë që i kishte rënë arma në tokë. E mora armën, por nuk e mbusha me fishekë në gryk, pasi vetë profesioni im si ish-oficer dija mirë ta përdorja. Në pjesën e parë të ngjarjes unë nuk konstatova, ndërsa pjesa e dytë ishte përsëri e rëndë, pasi unë po shikoja që fëmijët po thërrisnin “O Ma, o Ma”.

Unë kam bërë neutralizimin e armës së autorit, pasi nëse nuk do bëhej, mund të ndodhte gjithçka. Njëri nga djemtë kishte kapur automatikun e të atit dhe po kacafyten, unë menjëherë jam afruar dhe i kam hequr armën edhe Kocos, edhe djalit, madje thikën ai e hodhi disa metra më tutje.

Unë autorin e vrasjes kam vite që e njoh, kemi punuar të dy në polici, kam qenë drejtues, Koço ka qenë në rolin e policit bazë. Unë nuk e kam ditur dhe njohur si njeri problematik, kishte ardhur para një muaji për problemin me të ndjerën, por situata nuk ishte kaq e rënduar, madje ai ka punuar si roje sigurie te gjykata. Unë jam shokuar, sepse nuk ma kishte dhënë këtë përshtypje si njeri problematik. Ky veprim është më shumë sesa i rëndë, por derisa unë nuk e kam njohur familjen e tij nuk mund të jap dot mendim. Sigurisht që veprimi i tij është i paprecedent, ky është veprim jashtë çdo norme. Unë kontaktet me autorin nuk i kam pasur të shpeshta, por kontakti i fundit ka qenë para një muaji, ai dukej i shqetësuar por që nuk e dija se ishin kështu rrethanat. Ka kohë që është larguar nga detyra, ai ishte polic bazë siç e thashë, por mund të them se po të ishte kaq problematik duhet të ishin marrë masat./bw

 


Shtuar 31.05.2021 15:02