Gjykata e Tiranës, ka shpallur vendimin për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, duke dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin.
Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Gerd Hoxha, të dy të pandehurit u gjetën fajtorë për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Hetimet zbuluan se Bledar Jambelli, me precedentë të rrezikshëm penalë dhe në kërkim për ngjarje kriminale që nga fillimi i viteve 2000, kishte qenë më parë në hetim për dy vrasje, për të cilat ishte arrestuar në kohën kur Drejtoria e Policisë Vlorë drejtohej nga Artan Cuku.
Megjithëse më vonë u shpall i pafajshëm dhe u lirua, në vitin 2017 ai organizoi vrasjen e Cukut për motive hakmarrjeje.
Për të realizuar planin, Jambelli bashkëpunoi me Kristaq Lecin dhe Mikel Shallarin, ky i fundit autori i ekzekutimit.
Shallari qëlloi mbi viktimën me të paktën tetë plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe pranoi krimin, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe duke i kërkuar falje publike familjes së viktimës. Në këmbim të bashkëpunimit, ai u dënua me 10 vite burg.
Sipas prokurorisë, krimi ishte i mirëplanifikuar dhe i motivuar nga hakmarrja dhe përfitimi financiar.