“Vrasja e Dick Marty-it nga BIA serbe”, si do të reflektojë ky zhvillim në aktakuzën e Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së

Akuzat për vrasjen e Dick Mart-y nga agjentët serbë, pritet të reflektojnë në aktakuzën e Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së.

Akuzat e Dick Marty’it – të paprovuara asnjëherë – për trafikimin e organeve nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin çelësi startues i kësaj që sot njihet si Gjykata Speciale, prandaj, në dritën e zhvillimeve të reja, ai duhet patjetër të ftohet nga Gjykata Speciale, thonë për Albanian Post, avokatë dhe njohës të proceseve gjyqësore.

“Dick Marty do duhej të intervistohet fillimisht nga prokurorët zviceranë. Varësisht prej procedurave që do të mund t’i ndërmerrte shteti zviceran dhe epilogut të tyre do te varej mundësia e intervistimit të Marty-it në Gjykatën Speciale”, thotë avokati Artan Qerkini për AP, kur komenton lajmin që rrodhi nga qeveria zvicerane se si shteti serb kishte bërë plan për ta vrarë ish-prokurorin dhe ish-politikanin zviceran.

“Përndryshe mbrojtja, nëse e sheh të arsyeshme, mund ta thërras Marty-in si dëshmitar”, pohon Qerkini, që është një nga avokatët pjesëmarrës në procesin e gjykimit të ish-liderëve të gueriles shqiptare.

Kërcënimi ndaj Marty-it është serioz, prandaj Qerkini e sheh si mundësi që të zbulohet se ajo çfarë kishte thënë ai në raportin për UÇK-në e që më vonë u aprovua edhe nga Këshilli i Evropës, ka origjinë të dyshimtë dhe është e ndikuar nga dikush tjetër, përtej vetë Marty-it.

Por, “natyrisht se Marty duhet të intervistohet dhe të dëshmojë se nga kush i ka marr informatat se në Kosovë UÇK ka bërë kime lufte apo trafikim me organe”, thotë edhe Skënder Musa, avokati që për Albanian Post tregon rëndësinë e zhvillimeve të reja, të zbuluara rishtasi edhe në një intervistë të vetë Marty-it në Radiotelevizionin e Zvicrës.

“Tashti pasi vetë po përballet me një shtet që si politikë shtetërore e ka krimin, vrasjet, propagandën dhe viktimizimin duke e hedhur fajin te viktima, ndoshta zoti Marty do të dëshmojë të vërteten”.

Musa thotë se jo vetëm që Marty duhet të ftohet nga Gjykata Speciale, por, për më tepër, “dëshmia e tij është shumë e rëndësishme”.

“Sepse nëse ajo do të ishte e sinqertë prokurorët specialë në Gjykatë Speciale do të detyroheshin të tërhiqen nga shumica e akuzave që bazohen në informata dhe prova të rrejshme nga Serbia”.

Shërbimi inteligjent serb, i njohur si BIA, e ka mohuar se planifikuan ta vrasin Marty-in, por në një përgjigje ekskluzive për Albanian Post, qeveria zvicerane bën të ditur se prej kohësh i kanë lajmëruar organet shtetërore serbe se po planifikohet likuidimi i shtetasit të tyre.