Vrasja e Charlie Kirk/ Trump dënon aktin e rëndë: Moment i errët për Amerikën, jam i pikëlluar

Presidenti i SHBA Donald Trump, ka deklaruar se është i mbushur me pikëllim dhe zemërim pas vrasjes së tmerrshme të Charlie Kirk.

Kirk, një aleat i fortë i presidentit amerikan, u qëllua për vdekje në një aktivitet universitar në Utah të mërkurën pasdite.

Trump njoftoi vdekjen e konservatorit 31-vjeçar në mediat sociale, duke e cilësuar atë si një figurë të madhe dhe madje legjendare që ishte i dashur dhe i admiruar nga të gjithë, veçanërisht nga ai vetë.

Në një videomesazh të publikuar më vonë, presidenti tha: “Jam i mbushur me pikëllim dhe zemërim për vrasjen e tmerrshme të Charlie Kirk. Ai frymëzoi miliona njerëz dhe sonte të gjithë ata që e njihnin dhe e donin janë të bashkuar në tronditje dhe tmerr. Ky është një moment i errët për Amerikën”, shtoi zoti Trump, ndërsa premtoi një goditje ndaj “dhunës politike”.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, njoftoi se një person i arrestuar për të shtënat në Universitetin e Luginës së Utah-ut ishte liruar pas “marrjes në pyetje nga forcat e rendit”.

Një person i dytë u arrestua gjithashtu dhe më vonë u lirua. Autori mbetet ende i lirë.


Shtuar 11.09.2025 08:48