Vrasja e babait nga fëmijët në Shënvlash të Durrësit, psikologia bën deklaratën e fortë: Mund të induktojë frikë dhe panik në njerëz, sepse ata…

Krimi i rëndë në Shënavlash të Durrësit, vazhdon të ngrejë pikëpyetje të shumta, ndërsa autoritetet e hetimit nuk kanë ndërtuar ende një profil psikologjik, të fëmijëve dhe nënës së tyre për të kuptuar shkaqet e tij.

Vrasja është në hetim dhe ka ende kohë për t’u përmbushur i gjithë investigimi. Është shumë e nevojshme të ndërtohet një profil i të dyshuarve për vrasje për të kuptuar nëse ka pasur elemente të një abuzimi që mund të ketë qenë në të gjitha format, qoftë në aspektin emocional, psikologjik, fizik, që mund të ketë qenë i orientuar drejtpërdrejt ndaj fëmijëve ku ata bëhen viktima, po mund të ketë qenë abuzimi dhe i orientuar kundrejt nënës. Dhe nëse ata e perceptojnë si një person vulnerabël, që ka pasur nevojë për mbrojtje, sigurisht që mund të kenë vepruar ata në mbrojtje të saj”, u shpreh psikologia Armela Bejko Garipi.

Sjellja e fëmijëve të viktimës pas krimit dhe deklaratat e paqëndrueshme, mungesa e ndjeshmërisë, pendesës, konsiderohen nga ekspertët si një mungesë reflektimi mbi atë që ka ndodhur dhe jetën që i pret.

“Kur një vrasje vjen si pasojë e situatave konkrete, ose të perceptuara si abuzive, largimi nga jeta i atij personi perceptohet si cclirim dhe prandaj duket që në raste të tilla nuk ka një pendesë dhe pse më vonë patjetër do të reflektojnë sepse nuk është thjesht të futurit në burg, por ka kaq shumë pasoja sociale, emocionale, ekonomike që do të shoqërojnë vitet e gjata të burgimit dhe sigurisht ata nuk do të jenë të njëjtët me momentin e kryerjes së vrasjes dhe kur të përpiqen të kthehen, të riintegrohen nuk janë më të njëjtët individë”, tha psikologia.

Ndërsa hetimet vijojnë, publikimi i vazhdueshëm i detajeve të krimit duhet shmangur, pasi, sipas psikologes Bejko, mund të sjellë pasoja për një pjesë të audiencës e cila duhet orientuar tek pasojat ligjore dhe sociale, si dhe gjetja e mekanizmave të duhur për zgjidhjen e problemeve, për të parandaluar të tjera krime.

“Ne nuk mund ta kuptojmë as kontrollojmë impaktin që ka shpjegimi në detaje i fabulave të tilla sepse diku mund të rizgjojë traumën te familje që mund të kenë humbur familjarë në rrethana të ngjashme. Mund të induktojë frikë e panik në njerëz që ndodhen në situata të ngjashme, a të inspirojë të tjerë për të kryer një krim, sepse nuk është vënë theksi më shumë tek pasojat ligjore, sociale, emocionale e psikologjike që të kuptojnë individët se kjo formë që vjen jo vetëm në kundërshtim me ligjin nuk mund të jetë strategjia më e parë dhe më e lehtë për të zgjidhur një problematikë familjare dhe nëse kemi praktika abuzive, po duhet të orientohemi drejt kërkimit të mbështetjes sociale institucional”, përfundoi Armela Bejko Garipi.