Prestigjozja britanike “Daily Mail” risjell çështjen e ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u vra në lokalin e tij në Shëngjin më 19 prill.
Kujtojmë se në lidhje me atentatin mafioz ndaj biznesmenit të ndjerë janë përfshirë edhe tre shtetas britanikë.
“3 britanikë, mes të cilëve edhe një nënë e re, rrezikojnë ta kalojnë pjesën tjetër të jetës në burg në Shqipëri pasi pretendohet se janë pjesë e një grupi vrasësish”. Kështu shkruan Daily Mail duke iu referuar të arrestuarve në Britaninë e Madhe për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Biznesmeni Ardian Nikulaj, 51 vjeç, u qëllua gjashtë herë nga një person në Prill dhe krimi u filmua nga kamerat e sigurisë. Detektivët pretendojnë se 3 britanikë, duke përfshirë edhe nënën e një djali 7 vjeç, ishin të përfshirë, shkruan më tej Daily Mail.
Dyshimet e autoriteteve janë që Edmond Haxhia kontaktoi me Harriet Bridgeman, Steven Hunt dhe Thomas Mithan për ta ndihmuar që të lajë hesapet prej disa dekadash me Nikulajn, shkruan e përditshmja britanike.
Tashmë qeveria shqiptare kërkon që këta tre britanikë të ekstradohen në Shqipëri dhe të nisë gjyqi ndaj tyre për vrasje.
“Nëse dënohen, ata rrezikojnë minimalisht 31 vjet në burg. Magjistratët eWestminster dëgjuan se të afërmit e Haxhisë dhe Nikulajt ishin në një gjakmarrje të dhunshme që datonte vite më parë tek një vrasje në një karburant për para”, shkruan Daily Mail që më vonë jep edhe kronologjinë e ngjarjes.
Më 25 Qershor 1997, në Lezhë, Gëzim Lekstakaj dhe Lorent Gjetja, dyshohet se vranë Pëllumb Nikulajn, vëllain e Ardian Nikulajt. Në Shtator të atij viti, Lekstakaj dhe Gjetja u qëlluan për vdekje në shenjë hakmarrje, sulm për të cilin thuhet se e organizoi Nikulaj./Albeu.com/