Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra, pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Siç raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, si dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Sipas hetimeve, të dy ndodheshin në lokalin “Principote” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit.
Të lidhura
None found
Ata kishin shkuar në lokal në rolin e bodyguard-ëve, ndërsa në detyrë duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit.
Sipas Policisë, gjatë konfliktit ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Pas ngjarjes, gjithashtu nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.
Për këtë arsye, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra. Ndërkohë, Miosid Matushaj, është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksionin e sigurisë në “Principote”.
Për të, hetimet lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes. Në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në “Principote” ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie.
Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre për veprimet dhe mosveprimet para dhe pas vrasjes.
