Vrasja e 18-vjeçarit Aurelio Dervishi në Tiranë/ Prokuroria mbyll hetimet: Shkak xhelozia për një vajzë, ja kush e vrau (Emrat)

Prokuroria e Tiranës, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim 4 të rinjtë, të cilët akuzohen si autor të vrasjes së 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 31 Marsit, pranë rreth-rrotullimit të Shkozës në Tiranë.

Bëhet fjalë për shtetasin Frensi Shehi dhe tre të miturit Bjorni Shehi, Shaqir Hazufi dhe Irhad Ismalaj. Sipas hetimeve të Prokurorisë, shkaku i vrasjes ka qenë xhelozia për një vajzë, e cila ndodhej në automjet me viktimën dhe më parë kishte qenë e dashura e Frensi Shehut.

Personi që ka qëlluar me thikë për vdekje 18-vjeçarin Aurelio Dervishi, sipas hetimeve të organit të drejtësisë ka qenë i mituri Shaqir Hazufi. Katër autorët akuzohen për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”.

“Nga hetimet rezultoi e provuar se rreth orës 20:45 pm të 31.03.2024 personat e arrestuar kanë parë duke lëvizur mjetin tip ‘Audi’ me të cilin lëvizte viktima, shtetasi Aurelio Dervishi, me miqtë e tij dhe një vajzë që dyshohet se kishte pasur lidhje me parë më një nga bashkëpunëtorët në vrasje shtetasin Frensi Shehu.

Për shkak të xhelozisë e duke menduar se po qeshnin me të, shtetasi Frensi Shehu i ndoqi nga pas me makinë duke i prerë rrugën. Në grindje e sipër, ai ka kërkuar nga shoku i tij, shtetasi Shaqir Hazufi, të nxjerrë thikën dhe të qëllojë viktimën. Ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë janë rrahur me grushte me viktimën dhe shokët e tij.

Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se viktima, shtetasi Aurelio Dervishi humbi jetën si pasojë e shokut hemorragjik traumatik nga plaga e marë në kraharor.

Nga analiza e të dhënave të administruara, rezultoi e provuar se nga shtetasit Shaqir Hazufi, Frensi Shehi, Bjorni Shehi dhe Irhad Ismalaj kanë konsumuar elementet e figurës së Veprës Penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ në dëm të të ndjerit Aurelio Dervishi

Këta persona me dashje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime aktive të kundraligjshme që konsistojnë në goditjen me sende të forta dhe me thikë”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


Shtuar 2.07.2024 11:58