Vrasja e 18-vjeçares, reagon Vjosa Osmani: Drejtësia të bëjë drejtësi (FOTO LAJM)

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje drejtësisë që të jenë të kujdesshëm me dënimet që japin për kriminelët dhe vrasësit.

Sipas saj vetëm drejtësia mund ta ndryshojë situatën e vrasjeve në Kosovë.

Lajmin ajo e ndau përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.

Kreu i shtetit ka një thirrje dhe për qytetarët e autoritetet. Osmani thotë se kushdo që të ketë informacion mbi vrasësin e viktimës në Ferizaj të raportojë menjëherë tek autoritetet.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.

Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë./albeu.com


Shtuar 23.08.2021 18:40