Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë për shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai i ka nxitur të mos e lënë në minutat e fundit dorëzimin e zarfeve me votën, duke kujtuar se mbeten vetëm edhe 48 orë afat për t’i dërguar në pikat postare të DHL-së.
“Mos prisni, dorëzojini menjëherë zarfet në pikat përkatëse të postës, bëjeni edhe këtë përpjekje të fundit”, tha Rama, duke e cilësuar 11 Majin si një takim me historinë dhe një moment kyç, për të dhënë më shumë fuqi Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian.
“Ditë fantastike në zonën e Vlorës, e jashtëzakonshme, një diell i bukur, dritë e bukur dhe zakonisht nuk kam nevojë për syze brenda në makinë, por është një dritë e bukur, por e fortë.
Ndërkohë që do të desha të rindërhyj për t’ju dhënë një mesazh shqiptarëve të regjistruar në zgjedhjet e 11 Majit dhe që janë në Greqi, që s’kanë dorëzuar zarfet, ju lutem zarfet dorëzojini në pikat përkatëse të postës së DHL.
Mos prisni, dorëzojini, mos i lini për moment të fundit, ka akoma edhe pak kohë, janë 48 orë, bëjeni edhe këtë mund të fundit. Sepse 11 Maji është takim me historinë, si edhe moment zgjedhje për ti dhënë një fuqi të re Shqipërisë në negociatat me BE”, tha Rama.