Vota e diasporës, Alibeaj: Shteti ka shkatërruar të drejtat e shqiptarëve në vend, mendo për ata që jetojnë jashtë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, deklaroi se Kushtetuta i garanton shtetasve shqiptarë të drejtën e votës.

Ai gjithashtu u shpreh se deri më tani nuk është marrë në konsideratë e drejta e votës së diasporës, ndërsa shtoi se edhe shqiptarët brenda vendit janë përballur me vjedhje të votës.

“Asnjëri nuk e ka pranuar realisht, për arsye të thjeshtë vota në këtë vend vidhet, patronazhistët janë në sulm dhe shteti ka shkatërruar të drejtat e shqiptarëve dhe kjo ndodh brenda vendit , mendo për ata që janë jashtë vendit. Nëse duhet të bëjmë ndryshime së pari do të duhet ta shohim realitetin në sy, pra ky është realiteti kjo ka qenë pengesa. Fakti që një shumicë dërrmuese shqiptarësh prej shumë kohësh nuk ndodhen në vend, kanë ikur edhe duke u zbrazur nga një e drejtë që Kushtetuta ua garanton, e drejta e votës. Kushtetuta shqiptare ua garanton shtetasve shqiptarë të drejtën e votës, pikë dhe kjo mjafton për të ngritur qëndrimin tonë. Fenomeni i emigrimit në Shqipëri ka diasporën apo atë që e quani mërgatë, ka një fenomen tjetër më recent, migrimi i kohë të fundit të shqiptarëve, janë 500 mijë shqiptarë që janë larguar, por lidhjet me vendin i kanë të forta. Do të duhet edhe kjo kategori të ketë të drejtën për të votuar duke e lidhur me vendbanimin e fundit që kanë pasur në Shqipëri”, tha Alibeaj.