Vodhi kasafortën, policia merr hajdutin natën dhe e çon te liqeni: Dalin pamjet

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të cilët akuzohen për vjedhje dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tyre.

Në njoftimin zyrtar të uniformave blu bëhet me dije se në kuadër të operacionit policer të koduar “Liqeni” janë arrestuar shtetasit  L. S., 19 vjeç, dhe B. M., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2023, kanë vjedhur në një subjekt privat për tregtimin e pijeve alkoolike, një kasafortë, një aparat celular dhe dy njësi qendrore. Më pas, ata e kanë hedhur kasafortën e vjedhur, në liqenin artificial të Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, aparati celular i vjedhur dhe mjete (çekiç, levë) me të cilat autorët e dyshuar kanë realizuar vjedhjen.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. D. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj vjedhjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com.


Shtuar 15.06.2023 10:14