Vodhi 172 litra naftë nga ekskavatori i një firme dhe e shiti, arrestohet 35-vjeçari në Tiranë, e pëson dhe blerësi

Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar nga Tirana, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja”. Nga hetimet rezulon se i riu ka vjedhur rreth 172 litra karburant, nga ekskavatori i një firme ndërtimi dhe më pas ia ka shitur dikujt tjetër, i cili ishte në dijeni që karburanti që kishte blerë ishte vjedhur. Personi që ka blerë naftën është arrestuar gjithashtu.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vorë, operacioni policor i koduar “Fuel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.

Vodhi sasi të konsiderueshme nafte nga ekskavatori, në një kantier ndërtimi, vihet në pranga 35-vjeçari.

Në pranga dhe një shtetas tjetër që përvetësoi naftën e vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fuel”.

Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:

– J. S., 35 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Vjedhja”;

– P. K., 31 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi J. S., ka vjedhur rreth 172 litra karburant, nga ekskavatori i një firme ndërtimi dhe më pas ia ka shitur shtetasit P. K., i cili ishte në dijeni që karburanti që kishte blerë, ishte i vjedhur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com