Nga Gazeta ‘SI’ – Disa hajdutë përdorin justifikime nga më të ndryshmet kur zbulohen dhe kur provat janë kundër tyre. Kështu ka reaguar një 44 vjeçar me inicialet F.H , i dënuar edhe më parë për vjedhje që u ndalua me iniciativë ( akt motivimi) citon, policia e Tiranës. Ai rezulton të ketë hyrë në një argjendari në pronësi të shtetasit K.H duke thyer xhamin e derës, prej nga ku mori një sasi të konsiderueshme florinjsh.
Policia bën me dije se pasngjarjes, 10 ditë më vonë pronari i argjendarisë kishte kryer hetime personale dhe disponoi me të dhëna shtesë. Fashikulli që ju tregua gazetës “SI”, detajon “ I dëmtuari u paraqit në komisariat dhe tha se kishte arritur të zbulonte se disa nga sendet e vjedhura i kishte parë të reklamuara në një adresë instagrami, në dy argjendari në Tiranë”.
Policia thotë jo zyrtarisht se, fill pas administrimit të të dhënave në instagram për të cilat pronari i argjendarisë veçoi dy unaza që sipas tij ishin vjedhur nga grabitësi, thirri pronarin e argjendarisë tjetër.
“Në argjendarinë në fjalë u gjetën të varura dy varëse në bustet manekinë dhe një pllakë me numër 750”, -thekson policia për Gazetasi.al dhe u vu në kërkim të gjurmëve të hajdutit.
“I bleva sendet që gjetët nga një klient që nuk e njoh”- thotë shkurtimisht pronari i argjendarisë së dytë. Megjithatë për t’ua provuar agjentëve se ishte bashkëpunues, pronari në fjalë u ka vënë pamjet filmike
“Këto pamje u kaluan në CD dhe nga kqyrja, duket personi i dyshuar që ka shitur bizhuteritë e dyshuara të vjedhura nga argjendaria e parë. Fotot e tij u shpërndanë në rrugë elektronike në policitë lokale derisa u bë e mundur të informohej se hajduti nuk ishte nga Tirana, por nga një qytet tjetër dhe ai ishte hajdut shëtitës”- thekson një burim jo zyrtar i gazeta “SI”.
I skeduar si një person me precedent në fushën e vjedhjeve F. H del po ashtu një emër i regjistruar në Tims dhe në Adams si një nga qytetarët më shumë të shoqëruar në komisariate për vjedhje të ndryshme. Policia i thotë gazetës “SI” se sapo e gjeti adresën e tij, 44 vjeçari nuk bëri rezistencë. Madje policia pretendon se ai u rrëfye dhe tregoi çdo gjë. Ndonëse shumica e frazave të tij janë justifikuese, agjentët e drejtorisë vendore mbajtën shënim këtë deklaratë
“Kam për të thënë se e vodha argjendarinë sepse gjatë kësaj kohe kam qenë shumë i stresuar. Në darkë kur isha duke kaluar në këmbë më shkrepi në kokë ta provoja. Kisha një kaçavidë në xhep dhe e provova në derë. E hapa derën dhe kur hyra në argjendari vodha çfarë kam gjetur aty, zinxhirë, bizhuteri, që i gjeta në banak dhe kur dola mora njëe taksi. Shkova në Astir ku dhe ndalova në banesën me qera, ndërrova rrobat, i hodha në Lanë dhe ndalova në errësirë. Mbajta disa unaza e byzylykë dhe sendet e tjera nuk i çoja dot në banesë”, – rrëfehet hajduti sipas burimeve shumë të sigurta të gazetës “SI”.
“Këto sende I kam fshehur në disa kallama tek lagjia pranë xhamisë, pranë rrugës që të nxjerr tek ‘Casa Italia’. Me sendet e tjera që kisha vjedhur, Shkova në shtëpi. Më pas këto sende i Çova tek argjendaria ku mendoj se më kanë kapur kamerat dhe këtu kam gabuar”.
Hajduti i ofroi shitësit në fillim dy unaza dhe ditën e dytë, një unazë të tretë, një varëse dhe një byzylyk argjendi.
“Varësen e argjendit ja lashë pasi ai nuk donte ta blinte”, -thotë hajduti. Supriza me e keqe sipas tij nuk ishte arrestimi , por ajo çfarë i ndodhi një ditë pas tregtisë.
“Të nesërmen në orën nëntë të mëngjesit shkova tek vendi ku i kisha fshehur sendet e tjera të çmuara , aty mes kallamave. Pashë që sendet që kisha fshehur nuk ishin më aty dhe megjithëse e kontrollova vendin disa herë nuk arrita të gjej më asgjë. Jam i sigurtë që dikush më ka parë ku i fsheha”,- ankohet në polici 44 vjeçari.
Duke i mëshuar faktit që kishte vjedhur pasi kishte një fëmijë sëmurë, ai i dorëzoi policisë një raport mjekësor . “ Por raporti mjekësor për fëmijën që iu gjet në xhep ishte i vitit 2014 dhe aspak aktual – shton policia në rrugë jo zyrtare .
Ai rezulton se kishte përfunduar duke vjedhur disa herë, pasi askush nuk e merrte në punë. “Por duke mbajtur në konsideratë rrezikshmërinë shoqërore të veprës , ndonëse ai u shfaq i penduar dhe pranoi krimin, arrestimet e shumta tregojnë se F.H nuk bëri asnjë përpjekje për t’u rehabilituar dhe për të mos e përsëritur më vjedhjen”, – komenton policia për kryefamiljarin i cili ka përsëritur se stresi ju shkaktua nga varfëria./Gazeta SI/