VMRO këmbëngul në zgjedhje të parakohshme, LSDM kundërshton

VMRO DPMNE vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare me çdo kusht, duke kontestuar legjitimitetin e Qeverisë së Dimitar Kovaçevskit. Opozita maqedonase kërkon të gjejë marrëveshjen me partitë e vogla që për momentin janë pjesë e koalicionit të LSDM-së. VMRO DPMNE u premton atyre mbështetje për kërkesën për një njësi zgjedhore me ndryshim të Kodit Zgjedhor.

MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E VMRO DPMNE-SË

“VMRO DPMNE është e gatshme të bisedojë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të dëgjojë kërkesat e partive më të vogla politike për një njësi zgjedhore dhe nëse kjo është problem për LSDM-në dhe BDI-në, atëherë VMRO DPMNE do të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pa Qeveri teknike dhe me një njësi zgjedhore”.

Por LSDM-ja nga ana tjetër thotë se shumica parlamentare nuk mendon për zgjedhje të parakohshme këtë vit. Edhe qytetarët sipas tij janë të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, ndërsa shtetit i duhet menaxhim me sfidat që na presin.

DARKO KAESKI, DEPUTET I LSDM-SË

“Qytetarëve nuk u duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare për çdo vit. Kjo nënkupton ndalimin e proceseve të sistemit. Përkundrazi, qytetarëve u duhet gjithçka për të cilën angazhohemi, gjegjësisht realizimin e programit qeveritar, masave që nënkuptojnë jetë më të mirë, nënkuptojnë standard më të mirë dhe menaxhim më të mirë me krizën energjetike dhe shëndetësore, si dhe krizën ekonomike me të cilën përballet shteti”.

Partitë e vogla të koalicionit të LSDM-së – PLD, RDM, Lidhja Demokratike, Partia Demokratike e Turqve dhe VMRO Popullore i vendosën ultimatum shumicës parlamentare që deri në prill të realizojnë premtimin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe kalimin në sistemin me një njësi zgjedhore. LSDM është shprehur e gatshme për këtë nismë, por tani për tani kjo gjë nuk përkrahet nga BDI-ja. /shenja/

Shtuar 20.01.2022 20:44