VMRO, e gatshme të bisedojnë me LSDM për datën e zgjedhjeve

Lideri i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, thotë se janë të gatshëm të bisedojnë për propozimet e LSDM-së, për datën e zgjedhjeve. VMRO pranon të mbahen takimet e grupeve të punës për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë vitit 2024 dhe mendojnë se ato duhet të takohen sa më shpejtë.

“Si të thotë Kovaçevski për datën dhe ditën, vetëm le të takohen grupet e punës dhe të bisedojnë. Ajo që do ta propozojnë, atë do ta diskutojmë. Ja e pranoj, ata fituan, nuk kishte zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta”, tha Mickoski.

Mickoski u shpreh se kanë problem me Komisionin Shtetëror Zgjedhor, i cili, sipas tij nuk funksionon në pajtim me Ligjin, pasi për momenrin punon me 6 anëtarë.

“Është e definuar qartë struktura e KSHZ-së, 4 anëtarë të pushtetit dhe 3 të opozitës. Ne kemi 2 anëtarë të opozitës dhe çfarë bënë pushteti? Ajo pengon emërimin e një antari të opozitës”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se terminin për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare , duhet të jetë temë diskutimi me të gjitha partitë politike, e jo vetëm e dy partive. Ai gjithashtu nuk e komentoi propozimin e Mickoskit që zgjedhjet parlamentare të mbahen gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj 2024.