VMRO – DPMNE propozon që zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut të mbahen muajin prill

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, ka akuzuar se Qeveria po i shmanget marrëveshjes për datën e zgjedhjeve dhe hap mundësinë e krizës kushtetuese dhe politike.

Mickoski tha se është turp që datat e zgjedhjeve shpërndahen nëpër media, por ai sërish publikisht i bëri thirrje kryeministrit Kovaçevski që ta fiksojë datën në një periudhë që e caktoi  kreu i VMRO-së.

Për dallim nga propozimi i mëparshëm i opozitës maqedonase për mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta më 8 maj, tani Mickoski ka ofruar për deputetë dhe për president të votohet në të njëjtën ditë në periudhën mes Ramazan Bajramit dhe Pashkëve.

Përkatësisht, tani në lojë për opozitën janë të dielat më 14, 21 dhe 28 prill të pranverës së ardhshme, nëse nuk arrihet marrëveshje tjetër politike për votim në ditë pune.

“Duhet të merremi vesh për një datë për zgjedhje të rregullta. Ja një propozim, le të marrë fletë të bardhë dhe le të shkruajë çdo datë që të dojë mes dy festave më të mëdha fetare pranverën e ardhshme, dhe le të bëjmë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale me një shpenzim”, tha Hristian Mickoski– kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, socialdemokratët ritheksuan se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar. Ata thonë se janë të gatshëm të flasin për data, por fillimisht për zgjedhjet presidenciale e më pas parlamentare.

“Zgjedhjet do të jenë vitin e ardhshëm në mandatin e rregullt. Fillimisht zgjedhjet presidenciale dhe më pas parlamentare dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë datën e saktë të këtyre zgjedhjeve, fillimisht për presidenciale dhe më pas për ato parlamentare, në nivel grupesh pune. Pres që së shpejti të formohen dhe të fillojnë punën”.

Për momentin nuk dihet nëse datat që Mickoski propozoi janë në përputhje me afatet e Talat Xhaferit. Konkretisht, kryetari i Kuvendit paraprakisht deklaroi se e vetmja datë në të cilën mund të organizohen zgjedhje të dyfishta të rregullta është 5 maji, por meqë në këtë datë janë Pashkët, në lojë ka qenë edhe tetë maji, si dita e fundit e mundshme për të organizuar raundin e dytë tëg zgjedhjeve presidenciale, sepse presidenti i ardhshëm duhet të inaugurohet më 12 maj”, u shpreh Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.

Mbështetje për zgjedhje të dyfishta më herët ka ardhur edhe nga opozita shqiptare përmes Lëvizjes Demokratike, ndërsa BDI-ja është përgjigjur se për ta është i pranueshëm çdo variant.

E vetmja gjë për të cilën Mickoski dhe Kovaçevski janë pajtuar deri më tani është që data e zgjedhjeve të dakordohet në një grup punues ndërpartiak dhe jo në takim liderësh, por një grup të tillë, edhe pse është paralajmëruar prej kohësh, ende nuk është formuar./ Alsat.mk