Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan mund ta bindë Serbinë, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Komentet Osmani i bëri në një intervistë për TRT World, ku koërkoi nga homologu turk që ta vizitojë Kosovën.
Ajo shton se Erdogan ka një ndikim tek Vuçiç dhe sipas saj, kjo është rruga e vetme për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor. Osmani tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por që Serbia nuk po i respekton marrëveshjevet e arritura.
“Unë besoj që presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka rol të rëndësishëm te Vuçiçi që ta bindë se rruga e vetme për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor është që ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Erdogan mund ta bindë që t’i mbajë premtimet”, ka thënë Osmani.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon.