Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Tiranë, kanë përgatitur një plan të veçantë masash, me rastin e rritjes së fluksit të lëvizjeve, në nisje të vitit shkollor 2023-2024 dhe për këtë apelojnë për përdoruesit e rrugës:
✅Këmbësorët të ecin në vendkalimet e dedikuara për ta, si dhe të respektojnë vijat e bardha dhe semaforin.
✅Përdoruesit e biçikletave, motorëve elektrikë dhe motomjeteve të pajisen me kaska mbrojtëse, si dhe të respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale në rrugë.
✅Të shmanget përdorimi i automjeteve për distanca të afërta.
✅Në rast të shoqërimit të fëmijëve me automjet, për në kopësht/shkollë, fëmijët të pozicionohen në sediljen e pasme të automjetit dhe nëse është e nevojshme, në sexhiolino.
✅Vendqëndrimi i mjetit të mos jetë në afërsi të kryqëzimeve apo të vijave të bardha.
✅Drejtuesit e automjeteve në vendqendrim të mos bëhen pengesë për qarkullimin e mjeteve të tjera, duke racionalizuar maksimalisht kohën e qëndrimit, gjithnjë në anën e djathtë të rrugës.
✅Drejtuesit e automjeteve për transportin e nxënësve të kenë veçanërisht parasysh që të tregojnë kujdes në hypjen/zbritjen e nxënësve, duke ndaluar automjetet në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për lëvizjen e mjeteve të tjera.
✅Po kështu, pas shoqërimit të nxënësve në shkollë, të kujdesen deri në përcjelljen e nxënësit të fundit (pasagjer në këtë automjet), në ambientet e shkollës.
Punonjësit e Komisariatit të Policisë Tiranë iu urojnë suksese, të gjithë nxënësve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, gjatë vitit shkollor 2023-2024.