Viti akademik mbyllet online! Urdhëri i Ministrisë, përfundon me 30 shtator

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për të hapur pjesërisht auditorët e universiteteve rezulton nulë.

Pas analizimit të tij, këto të fundit kanë vendosur të mbyllin vitin akademik, i cili përkon me sezonin e dytë të provimeve, njësoj si i pari, në shkurt, edhe pse morën leje nga Komiteti për t’u hapur për konsultime e provime.

Nga ana tjetër janë studentët që çuditërisht pasi kërkuan vazhdimisht prej një viti hapjen e auditorëve, tanimë duan që provimet e mbylljes së vitit akademik të zhvillohen online.

Pavarësisht modaliteteve që zgjedhin universitetet, Ministria e Arsimit ka urdhëruar që viti bashkë me diplomimet të jetë mbyllur në datën 30 shtator.

URDHRI

Deri në ditën e fundit të muajit shtator, njëjtë si vitet që nuk kanë njohur pandemi, universitetet duhet të kenë mbyllur vitin akademik 2020-2021. Ky është urdhri i firmosur në 10 maj nga ministrja Evis Kushi, në zbatim të rekomandimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për hapjen e auditorëve në institucionet e arsimit të lartë vetëm për konsultime dhe provime.

Nisur nga kjo, IALtë duhet të marrin masa që tani për organizimin e orëve të konsultimit për t’i zhvilluar në grupime të vogla në respektim të masave antiCovid. Për këtë duhet të kenë bërë gati paraprakisht një plan të qartë që përfshin numrin e studentëve në bazë të sipërfaqes së auditorëve dhe t’ia dorëzojnë Ministrisë.

VENDIMET

Sidoqoftë, Universiteti i Tiranës, që ka numrin më të madh të studentëve, e ka vendosur. Sezoni i provimeve do të zhvillohet njësoj si ai i shkurtit, i kombinuar midis online-it dhe mjediseve të fakultetit.

Studentët do të kthehen në universitet vetëm për praktikat dhe punët e laboratorit. Dy javët e përgatitjes së planit nga 5 maji, kur u mor vendimi për hapje, deri në datën 20 maj, kur nis zyrtarisht sezoni, kanë qenë të pamjaftueshme për departamentet për organizimin e planit të mirëfilltë. Nisur nga ky fakt, bazuar në larminë e degëve, është vendosur që edhe ky sezon të jetë i njëjtë me të parin.

Ngjashëm do të veprojë edhe Universiteti i Mjekësisë, i cili ndonëse ka specifikë tjetër, që kërkon medoemos kthimin në mjediset e universitetit për praktika mësimore, do të aplikojë të dyja format për mbylljen e vitit akademik.

Për të mundësuar kthimin në normalitet për diplomimin e bluzave të bardha, rektori Arben Gjata ka propozuar vaksinimin e të gjithë studentëve të mjekësisë, të cilët janë diçka më shumës e pesë mijë të tillë. Nga ana tjetër, procesi i vaksinimit të personelit akademik mësohet të jetë drejt përmbylljes me injektimin e së paku një doze për 80 për qind të pedagogëve.

STUDENTËT, KUNDËR

Ndonëse prej një vitit rresht kërkojnë të rikthehen në auditorë, tanimë që iu erdhi mundësia, qoftë edhe për disa orë elementare, studentët refuzojnë. Në fakt janë ata të rretheve, që përbëjnë një numër të konsiderueshëm, të cilët e shikojnë të pamundur që në pjesën e mbetur të vitit akademik të akomodohen në kryeqytet. Elion Mulgeci, përfaqësues i tyre në senatin akademik ka dorëzuar në dekanat kërkesën e të rinjve, të cilët studiojnë në Fakultetin e Ekonomisë që provimet, si edhe konsultimet të zhvillohen të gjitha online.

“MASR ju komunikoi universiteteve me anë të urdhrit nr. 89 vendimin për zhvillimin e konsultimeve dhe provimeve të semestrit të dytë në auditor. Ky vendi u mor tri javë para përfundimit të programit mësimor të semestrit të dytë dhe vjen pas tetë muajsh mësim online.

Shumë studentë të Fakultetit të Ekonomisë jetojnë në rrethe dhe e kanë të pamundur të akomodohen për periudhën e mbetur të semestrit. Bazuar në kërkesat e studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës kërkoi zhvillimin online të konsultimeve dhe provimeve për semestrin e dytë të vitit akademik 2020- 2021”. Një kërkesë e tillë vjen pas miniprotestave dhe peticionit me mbi gjashtë mijë firma dorëzuar në Ministrinë e Arsimit për të hapur fakultetet. /panorama


Shtuar 17.05.2021 14:43