Në Zveçan mbrëmjen e 18 qershorit është kryer një sulm me një mjet shpërthyes, që sipas Policisë së Kosovës dyshohet të ketë qenë shok-bombë.
Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se ky mjet plasës është hedhur nga persona ende të panjohur.
“Nuk raportohet për të lënduar e as dëme materiale. Lidhur me rastin janë angazhuar njësitë kompetente policore për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.
Ditëve të fundit janë shpeshtuar rastet e hedhjes së shok-bombave në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Autoritetet thanë se mbrëmjen e 16 qershorit janë hedhur dy shok-bomba në Mitrovicë të Veriut. Njëra, sipas Policisë, u hodh afër stacionit policor, e tjera afër Shkollës Teknike.
Ndërkaq, mëngjesin e po të njëjtës ditë cak i sulmeve me shok-bomba ishin stacioni policor në Zveçan dhe ai në Mitrovicë të Veriut.
Nga këto sulme nuk është raportuar për të lënduar.
Sulmet me shok-bomba po ndodhin në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Ndërkaq, më 14 qershor, tensionet u përkeqësuan pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq./REL./