Vijojnë zjarret në pyjet e Mirditës, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Prej katër ditësh, vijojnë të digjen pyjet në bjeshkët e Fanit dhe Oroshit në Mirditë, ndërsa autoritetet lokale bëjnë thirrje për ndërhyrje nga ajri.

Situata më e vështirë mbetet në fshatrat Petoç dhe Lajthizë, ku dendësia e pemëve është shumë e madhe, e po ashtu territori i vështirë. Kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi në një reagim në rrjetet sociale tregon se, është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme nga ajri.

“Situata vazhdon të mbahet e monitoruar dhe të luftohet me flakët 24 orë nga shërbimi zjarrëfikës dhe pyjor por dhe banor të zonës. Gjithashtu prej ditës së djeshme ndërhyrjes së Bashkisë i janë bashkuar edhe forcat zjarrëfikëse të ushtrisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Kërkohet në mënyrë imediate ndërhyrje nga ajri”, shkruan ai.

Apeli për ndihmë u ka shkuar edhe banorëve te fshatrave të Fanë dhe Orosh. Zjarri që po djeg sipërfaqe të tëra në Mirditë, dyshohet që vatrën fillestare e kishte në pyjet e Kukësit.


Shtuar 1.09.2024 10:59