Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin për Bijan Pooladrag, i arrestuar për terrorizëm dhe i dënuar me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar për iranianin dënimi përfundimtar të jetë 10 vite burg.
Poladrag dyshohet se mblidhte informacion ndaj anëtareve të MEK, kjo e faktuar sipas organit të akuzës nga materiale e foto që i janë gjetur në celular.
Ai akuzohet për një sërë veprash penale si organizatë terroriste, shume ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike të paautorizuara etj.
Polagrad vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulmin terrorist.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 17.07.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 30 akti, datë 11.04.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri B.P kundër vendimit nr. 68, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.P. për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.P. për veprën penale “Organizata terroriste”, parashikuar nga neni 234/a, paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/a, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/b, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/c, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga neni 293/ç, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
7. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një dënimi të vetëm për të pandehurin B.P., atë me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
8. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit B.P. i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vjet burgim.
9. Vuajtja e dënimit për të pandehurin B.P. të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.
10. Në aplikim të nenit 16, pika 1, germa “a” të ligjit nr. 91/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri B.P. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 68, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.