VIDEO/ Tensione në Kuvend, Berisha del Live në Facebook: Rezistencë. Pusho Çuçi, do t’ju nxjerr jashtë!

“Do vazhdojmë. Është fillimi i një rezistence që nuk do ndalet më. Kaq është”, paralajmëron Berisha, pasi deputetët opozitarë kanë bllokuar nisjen e seancës parlamentare.

Ish-kryeministri, i cili po transmeton Live zhvillimet brenda Kuvendit ka njoftuar se deputetët e opozitës kanë filluar sot qëndresën e tyre, sepse ky parlament është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit, sipas Berishës.

Berisha: Ky institucion drejtohet në mënyrë antiligjore. Ne deputetët që përfaqësojmë qytetarët që kanë votuar kundër kësaj qeverie, kemi depozituar 31 ligje dhe rezoluta të cilat Rama me Lindën e tij i mban në sirtar dhe nuk lejon që ato të vijnë e të shqyrtohen në Parlament. Deputetët e opozitës kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata refuzojnë të paraqiten me urdhër të Edi Ramës.

Ndërhyn ministri Çuçi…

Berisha: Pushoni ju atje se do t’ju nxjerr jashtë fare. A merr vesh ti Çuçi? Pusho…

Berisha: Edi Rama është bashkëfajtor me McGonigal. Deputetët e opozitës kanë paraqitur me të gjitha firmat…bërtisni sa të doni, por unë po komunikoj me qytetarët dhe me britmat tuaja nuk i shuani dot zërat tanë…

Berisha: Së treti, pas komisionit hetimor parlamentar të djegësave, në të cilën Edi Rama, ministrat e tij dhe një pjesë e madhe e nomenklaturës së krimit, dilte e implikuar, deputetëve të opozitës i është hequr e drejta e krijimit të komisioneve parlamentare. Në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë kthyer gjer sot 5 nisma, 5 kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. U refuzua kërkesa e komisionit hetimor parlamentar për McGonigal, një nga veprimtaritë më të shëmtuara, më kriminale, në të cilën Edi Rama, Dorian Duçka, Charles McGonigal dhe Agron Neza kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Ata kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe janë vërsulur në manipulim dosjesh dhe shpifjesh për opozitën.
Ata kanë instaluar në Shqipëri sistemin e gjobëvënies ndaj biznesmenëve të vendit, ndërkohë që McGonigal ishte në detyrë, shef i kundërzbulimit të FBI në SHBA. McGonigal ka pranuar për dosjen shqiptare, të gjitha akuzat e ngritura nga juria e madhe dhe prokuroria e SHBA. Por në secilën prej atyre akuzave, bashkëfajtor me McGonigal është Edi Rama, Dorian Duçka, Agron Neza./Albeu.com 


Shtuar 19.10.2023 10:18